Edhe një herë për “Kandidatin” e Blushit

Postuar më: 10 Nëntor 2015 09:34

Albana NexhipiNga Albana Nexhipi*

Nuk ka sesi, teksa përpiqesh të hedhësh dy rreshta mbi romanin më të ri të Blushit, të mos mëdyshesh pafundësisht mes ideve që të ngacin. Një herë mendon t’i qasesh politikisht, e të thuash gjithë të zezat që të ngacmon intriga e romanit, pastaj thua, po jo, prit, jemi në letërsi dhe analiza i duhet bërë si vepër letrare, me një filtër historik madje, që t’u rrëfejë lexuesve hiletë e damarit trillues të autorit. Pastaj ngec prapë. Romani s’është mirëfilli historik, siç nuk është mirëfilli as memuar politik, as publicistikë e as mirëfilli gazetaresk, pavarësisht se në një pjesë të mirë ngjizet nga materiale të cituara prej shtypit të shkruar e atij online, apo intervistave pyetje-përgjigje nëpër studiot televizive. Ndërkaq, as më shumë e as më pak, libri është njëkohësisht edhe të gjitha këto së bashku, çka e fut romanin brenda kontureve të unikes në letërsinë shqipe, unike që, përmes simbolikave që sjell, synon patjetër dhe një mesazh.

Fakt është që unikja e këtij romani-kaleidoskop të zë në befasi dhe të vjen si shije fundore e veprës, pasi faqeve të para të saj, ndjesia e përftuar është ajo e të hasurit edhe tjetërkund syrin që vëzhgon situatën i neveritur (të vetën e të të tjerëve). Stili, i thatë e i prerë, tipike e “esnafit” që e di mirë ku e hedh llafin, me fjalitë e thjeshta që ngërthejnë alegorinë, të kujtojnë Kadarenë në mjaft nga veprat e veta, ndërkaq, sapo përkap se si tharm vepre është përdorur dikotomia i gjallë/i vdekur, në mendje të buisin gjithë kryeveprat e letërsisë botërore ngjizur mbi të, dhe një nur Çiçikovi hijeshon personazhin kryesor. Kështu, teksa ndjek me vëmendje metamorfozën e tij nga marketues i mishit të ngordhur, në zëdhënës të qenies së vdekur (që ndërtohet duke na rrëfyer sakaq në detaj makinacionet politike e mediatike të realitetit politik shqiptar), teksa mrekullohesh nga përzgjedhja e mençur e figurave të rëndësishme e debatndjellëse të historisë shqiptare që mishërojnë simbolika kyçe në vepër, nga fundi ekzaltohesh, shtangesh e zbret me këmbë në tokë kur shquan hapur e troç zërin e autorit, i cili, pasi të ka ndërmendur në shije një dorë kryeveprash botërore, ia ka dalë të gdhendë qartë e pastër një kryevepër të letrave moderne shqipe e të të lërë në dorë një roman papërsëritshmërisht origjinal, ku alegoria, simboli e cinizmi, shpërfaqin një parodi sa të dhimbshme e aktuale, po aq të përsëritur gjatë historisë së shtetit shqiptar: atë të kalbjes e korruptimit politik, që nuk ka lënë udhëheqës e drejtues shteti që nga 1912-a e këtej pa vënë poshtë, e njëkohësisht edhe manipulimin e përdorimin e vazhdueshëm të shqiptarëve-popull, për interesa të ngushta vetjake, pushteti a paraje qofshin.

Thamë që përmes simbolikave romani synon padyshim edhe një mesazh, i cili edhe kësaj here vjen dyplanësh: si aktual e si universal. Tek i pari, vështirë se Blushi si politikan, me idetë e tij që jo rrallëherë kanë qenë objekt debatesh të forta, mund të shmanget, e nën këtë optikë atij mund t’i bëjmë dy lexime: një si mea culpa të vetë autorit, që zgjedh të shënojë me të edhe distancimin personal nga baseni politik të cilit i çjerr maskën dhe e tall duke e përjetësuar në vepër letrare, e një si ftesë e hapur për një tjetër revoltë, mbi një tjetër fillim të ri: atë të demokracisë së vërtetë, ku politikat lindin e bëhen për qytetarët e qytetin, ku politikanë janë të gjallët që jo thjesht gjallojnë, ku populli nuk përdoret e shpërdoret sipas interesave të kujt ka luksin ta përdorë si mall, e ku media nuk bëhet pjesë e makinacioneve politike që nxisin kaosin e rrëmujën, hera-herës me pasojë vdekjen. Ndërkaq, sa i përket të dytit, zhytja në histori dhe përdorimi i figurave kyçe të saj, shkon në favor të nxitjes së një vramendjeje e vetëanalize mbi arketipin e politikanëve të cilëve u delegojmë pushtetin, mënyrën si, perceptimin e nënshtrimin ndaj tyre, përdorimin që lejojmë të na bëhet, problem që në fakt mbërrin përmasat e traditës në politikëbërjen e krejt  113 viteve shtet shqiptar. Jo më kot, diku andej nga fundi i romanit, autori na thotë se “Lef Nosi nuk u rrëzua si nazist. Ai u tërhoq zvarrë si simbol i një klase politike që ka qeverisur për 100 vjet dhe e ka lënë Shqipërinë vendin më të varfër të Evropës.”, e jo më kot na sjell si element zgjidhjeje revoltën e përmbysjen, të mishëruara si rrëzim bustesh e etërish, një imazh e model që shqiptarët e kanë mëse të freskët edhe pas 25 viteve, kur për t’i dhënë udhë pluralizmit e demokracisë rrëzuan një tjetër bust, sërish në qendër të qytetit, sërish model të kalbjes politike, izolimit të vendit, varfërimit të tejskajshëm të tij, po në nuancat e atit, që u përmbys po prej bijsh.

Duket në fakt sikur autori e justifikon revoltë/përmbysjen e sikur kjo  është edhe një prej mesazheve të qarta në vepër. Edhe në përgjigjen që personazhi i shkrimtarit pesimist (mirëfilli Blushi), i jep moderatorit në studion televizive blu kobalti, kur ai e pyet nëse e justifikon atë si reagim ndaj qeverisjes së keqe, lexojmë një “po” që përçon optimizëm, por që ngre ç’është e vërteta pikëpyetje të mëdha, sidomos sa i përket përmbysjes si mënyrë përmirësimi të sistemit, e sidomos po të mbështetemi tek teoria e Frojdit mbi qytetërimin (së cilës i referohet edhe vetë autori/shkrimtari pesimist). Tek kjo e fundit, at’vrasja/at’përmbysja nuk prodhoi direkt një sistem më të mirë. Së pari ajo mundësoi vetëm shumëfishimin e modelit të atit, sepse bijtë nuk synonin ndryshimin, por thjesht  t’i zinin vendin. Ndryshimi erdhi vetëm pasi këta të fundit u ndërgjegjësuan se me modelin e tij s’mund të bashkëqeverisnin, ndaj caktuan norma e rregulla që s’cenonin mbarëvajtjen e bashkësisë, çka është në fakt edhe pika ku nevojitet me se s’bën të mbërrijë edhe politikëbërja shqiptare. Sidoqoftë, me gjasa ky është një problem mirëfilli politik, por në këtë rast “Kandidati”, si vepër letrare, e kryen më së miri detyrën e vet sociale, intelektuale e politike: na fut në këto lloj arsyetimesh, duke na vënë në dispozicion një subjekt e intrigë që nxisin reflektimin e analizën mbi fenomenin, si një debat të pambarimtë me veten e të tjerët, mbi mënyrën si bëjmë politikë dhe si i shërbejmë prej saj. Dhe debati mbetet i hapur. Elementët janë të gjithë në vepër.

* Pedagoge në Dep. e Komunikimit dhe Mrdh. Publike, UET, gazetare.

Leave a comment