Çorapi i gjuhës dhe lëmshi i moskuptimit

 Postuar më: 21 Tetor 2015 09:50

albana nexhipi-Një hall mbi “puritanizmin” dhe “dinamikën” në  shqipe

Nga Albana Nexhipi*

Ishte në fakt një diskutim rastësor, nga ata që mpleksen vrap e vrap me kafen e mëngjesit, teksa ti rend  detyrave të ditës. Një diskutim rastësor, por lidhur me një debat tejet të mprehtë, ngase po shndërrohet dora-dorës në një prej dëmtuesve më të mëdhenj të shqipes, e në një prej shkaktarëve kryesorë të moskuptimit, që gjallon sot dita mes shqiptarëve në shumë fusha.

Ndodhi kështu: teksa flisja e shqetësuar mbi sasinë e fjalëve jo shqip brenda një materiali të përkthyer,  profesor Gilman Bakalli, kolegu dhe një prej bashkëpunëtorëve të mi më të mirë mediatikë, me të cilin kam ngjizur shumë emisione mbi komunikimin dhe rolin thelbësor të fjalës në të, më pyet në jam puritane e shqipes. Pyetja i rrjedhojë natyrshëm ngase atë çast po këmbëngulja zellshëm në shqipërimin e fjalës relevant, që sipas meje krijonte paqartësi kuptimore e shumica nuk e merrnin vesh. Më kapi ca gafil, se me timen nuk mëtoja puritanizmin.  E keqja qe që thellë-thellë ndjeva edhe një nuancë akuze, çka më trembi, se nuk i kam qejf konservatorizmat dhe dëshiroj, edhe si përkthyese që jam, pasurimin e shqipes me fjalë  dhe kuptime të reja.

Profesorit iu përgjigja që s’jam puritane, por pyetja jo vetëm që më dogji, por më nxiti edhe të përqendrohesha tek shqetësimi që më kishte shtyrë t’i shëmbëlleja puritanes, për të parë ç’po ndodh konkretisht me shqipen, kur të pakta janë gjasat që përdorimi i saj të të prodhojë të mira materiale (për të cilat luftohet më shumë),  e po ashtu kur vlerat e meritat që mund të marrësh prej shkrimit e përdorimit të mirë të saj, janë po aq të pakta për shkak se “të gjithë jemi shqipfolës”. Kështu, nga një “hulumtim” dy-tre ditor i bisedave në ambientet ku ndodhesha, tejet e vëmendshme ndaj çka thuhej e diskutohej,  vërtetova katërcipërisht atë që m’i kishte cingëritur nervat:  që tashmë qe bërë thuajse normale, që mendimi, teksa flitej e shkruhej në lëme të ndryshme akademike politike e mediatike, të përcillej me fjalë të marra borxh nga të tjera gjuhë, të cilat pandehej se shprehnin “më mirë” atë që folësi dëshironte të thoshte; siç qe bërë normale gjithashtu, që edhe teksa përpiqeshe t’i shqipëroje ca prej tyre, natyrisht brenda hullive shqipëruese/fjalëformues të shqipes, t’i futeshe  kokë e këmbë një debati që në linja të përgjithshme përmblidhej në kundërvënien  puritan/konservator apo liberal/modern (ku të parët  akuzoheshin për cungimin e kuptimit të fjalës,  tharjen e tij; se gjasme gjegjësja në shqip nuk e shprehte saktë atë që gjuha e origjinës synonte, duke nënkuptuar vazhdimisht një nuancë kuptimore që leksiku shqiptar s’ta ofronte (!), kurse të dytët, “modernët”, këmbëngulnin që gjuha është dinamike e si e tillë ishte/është normale që t’i trupëzohen edhe fjalë të huaja, për shkak se na pasurojnë me fjalë e kuptime të reja).

Keqkuptimi lidhet në fakt me atë që cilësohet si dinamizëm i gjuhës,  i cili është procesi që pasuron leksikun, duke e përditësuar me fjalë të reja që burojnë nga  zhvillimet e ndryshme shoqërore, shkencore etj., në një periudhë të caktuar historike. Pra është e logjikshme që në periudha të ndryshme të zhvillimit të vet, shqipja të ketë marrë e dhënë fjalë nga gjuhët e popujve me të cilët ka bashkëpunuar (latinishtja, greqishtja e vjetër, turqishtja, frëngjishtja, italishtja), siç  është mëse e  logjikshme edhe huazimi sotdita i fjalëve nga anglishtja, frëngjishtja, italishtja a ndonjë gjuhë tjetër, pikërisht për të njëjtat motive: se u përkasin kombeve që diktojnë udhët në ekonomi, politikë e teknologji. Por, në gjithë këtë ngjashmëri logjikash, ka një kleçkë! Huazimet e deridjeshme janë kryer të gjitha  sipas logjikës gjuhësore të shqipes (jo pandehmave me përafërsi), e cila është mjaft e qartë në këtë drejtim, dhe saktëson se shqipja trupëzon të pandryshueshme (duke ua përshtatur rregullave të veta të drejtshkrimit e drejtshqiptimit, natyrisht) fjalë që shënojnë fenomene, koncepte të caktuara, terminologji (rasti i fjalës televizor për shembull, kur bashkë me pajisjen kemi huazuar dhe fjalën, apo fjala kompjuter etj.). Ajo sqaron gjithashtu edhe se të gjitha ato që e kanë gjegjësen në shqip e përdoren qesim quhen barbarizma e i bëjnë mjaft dëm gjuhës dhe marrjes vesh, siç përcakton edhe të tjera kategori leksikore, si neologjizmat e arkaizmat apo mekanizmat bazë të funksionimit të tyre. Ndërsa sot nuk ndodh kështu! Sot, për lehtësi bashkëbisedimi a shkrimi (dembelizmi intelektual, kam bindje unë), fjalët i  trupëzohen hamendësisht leksikut, duke krijuar për rrjedhojë jo vetëm një kaos në komunikim, por edhe keqkuptime në masë mes njerëzve, të cilët tjetër pandehin se thonë e tjetër kuptohen (dhe kjo duket qartë edhe nga rrëmuja ku është zhytur mendimi intelektual shqiptar), pa u ndërgjegjësuar për peshën e madhe që ka mos shqipërimi dhe mos dakordësimi mbi fushat kuptimore të fjalëve,  pa  e ditur që një pjesë e logjikave të gabuara dhe keqkuptimeve rrjedhon pikërisht prej tyre.

Përmenda që pas diskutimit me profesorin iu futa një “hulumtimi” afatshkurtër, i cili në fakt vërtetoi “parandjenjën” që kisha pasur.  Po ua sjell shkurtimisht dhe juve, në mënyrë që mos t’ju bind, t’ju ngjall dyshime mbi fenomenin, e rrjedhimisht t’ju tërheq vëmendjen, duke iu çuar drejt analizës dhe  reflektimit. Mes gjithë barabarizmave që dëgjova, relevant ishte ajo që ma vrau veshin, ngase përdorej rëndom. Teksa përpiqesha ndërkaq ta shqipëroja sipas  konteksteve ku artikulohej, m’i shpëtonte kuptimit të parë e më lodhte në mbërritjen e fushave të tjera kuptimore. Kështu, nisa të pyesja poshtë e përpjetë, kë takoja (njerëz të shtresave e formimeve të ndryshme) në e kuptonin çdo të thoshte.  Shumica ishin të bindur që e kuptonin, që e dinin, dhe jepnin variantet e tyre.  Disa këmbëngulnin që relevant do të thoshte kryesor, pjesa tjetër i njohur, e më mbresëlënësja qe i/e krahasueshëm apo i/e ngjashme (shembulli që unë ta kuptoja më mirë ishte “Fjala kupë ështërelevante për fjalën filxhan”. Me demek: “Fjala kupë  është e ngjashme me fjalën  filxhan”). Kur pyesja pse zgjidhnin relevant  e jo një nga  gjegjëset shqip që mendonin, përgjigjja ishte  se  ajo e jepte më qartë idenë (!).

E hutuar nga hulumtimi në terren, nisa të gërrmoja online. Sipas fjalorëve që m’u shfaqen me kërkimin  e parë (Macmillan, Learners, Merriam-Webster) origjina e fjalës rezultonte skoceze, etimologjikisht me bazë latine, ngjizur në shekullin XVI, për të shënuar (ri)ngritjen (raising up).  Vetë anglezët i mvishnin disa kuptime, pjesa më e madhe e të cilave lidheshin me lidhur ngushtësisht me…i/e duhur, i/e nevojshme, i/rëndësishme (si për shembull: Once we have all the relevant information, we can make a decision/ Me të pasur informacionin e duhur/nevojshëm, do të marim një vendim  apo Ignore that comment. It’s not relevant./ Mos ia vër veshin atij  komenti. S’është i rëndësishëm). Ndërkaq, edhe italianët nuk i ishin shmangur shumë kuptimit e parë  të fjalës në anglisht. Sa për shqiptarët, merret me mend besoj sa qartësisht e kanë përdorur e rrjedhimisht sa janë marrë vesh me njëri-tjetrin.

Por shqetësimi im shkon përtej një fjale. Ai lidhet ngushtësisht me diçka që po merr përmasat e fenomenit: fenomenit të mjegullsisë së kuptimeve (për të rinjtë) dhe hermetizmit gjuhësor (për të moshuarit). Dikush do thotë herët u kujtove! Të rinjtë i kanë kohë që i kanë mbyllur veshët nga ai krah, e po ashtu edhe mosha e tretë, që as kur i bëjnë rritje pensioni s’dëgjon më. E mbase ka të drejtë, por unë,  tek e shoh të përhapur në masë mes mendjeve që veç për këtë pjesë s’e vrasin mendjen, më kap paniku dhe bëj ca hesape, se ç’lëmshnajë do gjallojë mes shqiptarëve kur brezi që përpiqet të shqipërojë të jetë bërë për rahmet dhe brezi i ri të jetë mpirë nga moskuptimi në masë. Përfundimi më duket i frikshëm, ndaj thashë të tentoja një biçim paralajmërimi, për atë që mund të na presë teksa do jemi tek të 65-at e do pretendojmë më kot të kuptohemi e të na kuptojnë, apo të përpiqemi të komunikojmë për të dhënë sikur një të njëqindën e eksperiencës që  kemi,  në mbarëvajtjen e shoqërisë. Hesapet bëjini vetë, ndërkaq shpresoj të bëheni ca më tepër “puritanë”, e të mos guidoheni nga konfidenttizmi joefiçent, teksa aplikoni diskurse inovative. Ju faleminderit!

* Pedagoge në Dep. e Komunikimit dhe Mrdh. Publike, UET, përkthyese, gazetare.

 

Çorapi i gjuhës dhe lëmshi i moskuptimit